Jump to content

Maria Montessori

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Banknota prej 1000 Lirash italiane me portretin e Maria Montessorit.

Maria Montessori (31 gusht 1870, Kiaravale, Ankona6 maj 1952, Noordwijk, Holandë) ishte një mësimdhënëse, pedagoge, filozofe, mjeke, neuropsikiatër i fëmijëve dhe shkencëtare italiane, e njohur ndërkombëtarisht për metodën edukative Metoda Montesori, të zbatuar në mijëra kopshte, shkolla fillore, të mesme dhe të larta në mbarë botën; ishte ndër femrat e para që u diplomuan në mjekësi në Itali.[1]

Maria Montessori u lind më 31 gusht 1870 në Kiaravale pranë Ankonës, Itali. Prindërit e Marias, Alessandro Montessori dhe Renilde Stoppan, kanë qenë njerëz të arsimuar dhe personalitete të njohura me jetën shoqërore dhe politike të Italisë. Ata ndikuan drejtpërsëdrejti në formimin e personalitetit të shkencëtares së ardhshme, bijës së tyre. Ka ndodhur që ata shpesh nuk binin dakord në pikëpamjet e tyre se si duhej të rritej Maria. Ajo ishte shumë e lidhur me të atin, derisa ai vdiq, por mbështetej dhe inkurajohej shumë edhe nga e ëma. Pa qëllimet e mira të së ëmës, ajo nuk do të kishte bërë lëvizjen e saj të zgjuar në karrierën arsimore, për të hyrë në shkollë teknike në moshën trembëdhjetëvjeçare. Maria Montessori filloi studimet për Inxhinieri në Regia Scuola Tecnica Michelangelo Buonarroti. Pikërisht këtu ajo filloi të mendonte dhe të kuptonte se si duhej të punonte më me efektivitet në shkollë për t‘i bërë gjërat që mësohen atje sa më të kuptueshme, të kapshme dhe reale.[2] [3]

Nga kjo eksperiencë ajo filloi të ndërtonte modelin se si duhej të ishte një shkollë. Ajo e kuptoi se pasioni i saj do të ishin fëmijët, edukimi shkencor e pedagogjik i tyre në aspektin e zhvillimit psikologjik gjatë etapave të ndryshme të rritjes fiziologjike. E duke e kuptuar se inxhinieria nuk ishte e ardhmja e saj, vendosi të ndërpriste studimet për Inxhinieri, e të futej për Mjekësi. Duke iu përkushtuar me një pasion të madh studimeve, ajo arriti të mbaronte shkëlqyeshëm universitetin për t‘u bërë kështu e para femër mjeke në Itali. Jeta e saj aktive filloi vetëm një muaj pas diplomimit, duke u emëruar asistent kirurge në Santo Spirito. Ajo punonte gjithashtu në spitalin e fëmijëve dhe ndiqte me shumë kujdes procesin e trajtimit mjekësor, psikologjik dhe shoqëror të tyre.

Kështu, gjatë punës si mjeke, ajo analizonte nga afër mënyrën sesi fëmijët mësojnë. Në bazë të këtyre analizave, dr. Montessori arriti në konkluzionin se fëmijët formohen dhe ndërtojnë karakterin e tyre në varësi të ambientit që e rrethon. Kjo e bëri t‘i largohet vëmendjes së saj profesionale nga trupi i njeriut, për t‘iu dedikuar studimit të mendjes. E për këtë ajo iu kthye universitetit në 1901-shin; këtë herë për të studiuar Psikologji dhe Filozofi. Dhe më 1904-ën u emërua profesoreshë e antropologjisë në Universitetin e Romës. Gjatë këtyre eksperiencave ajo hartoi një teori arsimore, e cila kombinonte idetë e studiuesit Froebel, antropologut Giuseppe Sergi, mjekëve francezë, Jean Itard dhe Edouard Seguin, me metodat që ajo vetë i kishte gjetur në mjekësi, arsim dhe antropologji. Pikërisht në 1907-ën, Montessori filloi të shpallte teoritë dhe metodat e saj të pedagogjisë, që sot në të gjithë botën njihen me emrin: "Metodat e edukimit Montessori".[2] [3]

Dhe dëshira e saj e madhe për të ndihmuar fëmijët ishte aq e fortë, sa e bëri atë të braktisë punën në universitet, po ashtu edhe klinikën e saj mjekësore për të punuar dhe kujdesur me një grup prej 60 fëmijësh të vegjël që vinin nga familje të një lagjeje të varfër të Romës. Këtu ajo krijoi për herë të parë një Casa dei Bambini (shtëpi fëmije). Metodat që ajo vendosi të zbatonte ishin si eksperimentale, ashtu edhe çudibërëse. "Ne vërtet duhet të gjejmë mënyra të mësojmë fëmijën përpara se si ai të kryejë një detyrë", shprehej Montessori. Për këtë, ajo sugjeroi që mësuesit ta shihnin vetveten si inxhinier social. Si eksperiencë e parë, fëmijët e filluan programin e saj si "të egër dhe të padisiplinuar". Dhe ndodhi që fëmijët të reagonin pozitivisht ndaj metodave të saj të mësimdhënies. Montessori gjithmonë i trajtonte ata me shumë respekt dhe kërkonte që edhe mësuesit e shkollës të bënin të njëjtën gjë. Që në fillim ndodhën gjëra të mahnitshme. Fëmijë më të vegjël se tre deri katër vjeç filluan të lexonin, shkruanin dhe filluan respektin për vetveten. Metoda Montessori nxiti atë që Maria pa si aftësi të brendshme të fëmijëve për të "përthithur" njohuri nga ambientet rrethuese, si dhe interesi i tyre i pakufi për të vrojtuar dhe punuar me materialet që u jepeshin. "Dhe më pas ne i pamë ata të ‘përthithin‘ akoma më shumë se thjesht shkrim dhe këndim... ishte botanika, zoologjia, matematika, gjeografia dhe të gjitha këto me shumë lehtësi, vetvetiu dhe pa u lodhur", shkruan ajo në veprën e saj "Mendje përthithëse".

Çdo pajisje, çdo ushtrim, çdo metodë që Montessori zhvilloi është bazuar në vëzhgimet e saj mbi aktivitetet që fëmijët i bëjnë në mënyrë të natyrshme, vetë dhe pa ndihmën e të rriturve. Ajo tashmë po hynte në histori. Që nga 1907-a e deri në mesin e viteve 1930, dr. Montessori ia kushtoi të gjithë kohën dhe energjitë e saj krijimit dhe zhvillimit të shkollave të metodës së vet në të gjithë Evropën dhe Amerikën. Fama e dr. Montessori-t arriti deri atje sa u nominua për çmimin "Nobel" të paqes tri herë në vitet 1949, 1950 dhe 1951. Maria Montessori vdiq në Noordwijk, Holandë, në vitin 1952, por puna e saj jeton dhe vazhdon të zgjerohet dhe zhvillohet nëpërmjet Association Montessori Internationale (AMI), organizatës që ajo themeloi në Amsterdam në vitin 1929, për të vazhduar veprën e saj, që gjithashtu ka përfaqësinë e saj pranë OKB-së që nga viti 1985. [4] [5] [6]

  • (1909) Il Metodo della Pedagogia Scientifica applicato all'educazione infantile nelle Case dei Bambini, 1913, 1926, 1935; 1950 a
  • (1912) The Montessori Method: Scientific Pedagogy as Applied to Child Education in the Children's Houses
  • (1948) The Discovery of the Child
  • (1910) Antropologia Pedagogica
  • (1913) Pedagogical Anthropology
  • (1914) Dr. Montessori's Own Handbook
  • (1921) Manuale di pedagogia scientifica
  • (1916) L'autoeducazione nelle scuole elementari
  • (1922) I bambini viventi nella Chiesa
  • (1923) Das Kind in der Familie (Gjermanisht)
  • (1929) The Child in the Family
  • (1936) Il bambino in famiglia
  • (1934) Psico Geométria (Spanjisht)
  • (2011) Psychogeometry
  • (1934) Psico Aritmética
  • (1971) Psicoaritmetica
  • (1936) L'Enfant(Frengjisht)
  • (1936) The Secret of Childhood
  • (1938) Il segreto dell'infanzia
  • (1948) De l'enfant à l'adolescent
  • (1948) From Childhood to Adolescence
  • (1949) Dall'infanzia all'adolescenza
  • (1949) Educazione e pace
  • (1949) Peace and Education
  • (1949) Formazione dell'uomo
  • (1949) The Formation of Man
  • (1949) The Absorbent Mind
  • (1952) La mente del bambino. Mente assorbente
  • (1947) Education for a New World
  • (1970) Educazione per un mondo nuovo
  • (1947) To Educate the Human Potential
  • (1970) Come educare il potenziale umano[1]
  1. ^ a b Laura Bill:Maria Montessori Arkivuar 1 prill 2019 tek Wayback Machine feministvoices.com
  2. ^ a b Kramer, Rita (1976). Maria Montessori. Chicago: University of Chicago Press. fq. 24 - 367. ISBN 0-201-09227-1.
  3. ^ a b Trabalzini, Paola (Spring 2011). "Maria Montessori Through the Seasons of the Method". The NAMTA Journal. 36 (2). fq. 7 - 165.
  4. ^ Biography of Dr. Maria Montessori
  5. ^ Lillard, Paula Polk (1996). Montessori Today. New York: Schocken Books. ISBN 978-0-8052-1061-3.
  6. ^ I.B.E – UNESCO,“Mendimtarët mbi edukimin”. Plejad, Tiranë, 2008, fq. 235-256.

Linqe të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Maria Montessori.